Kosova kërkon mbështetje evropiane për statusin kandidat dhe hapjen e negociatave

Kosova kërkon mbështetje evropiane për statusin kandidat dhe hapjen e negociatave

Jeton Zulfaj dhe komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, u takuan në Bruksel për të diskutuar procesin e integrimit të Kosovës në BE. Në agjendë ishin edhe reformat, nismat evropiane dhe Ligji për Dhomat e Specializuara.

Procesi i anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe reformat që lidhen me të ishin në qendër të takimit mes kryenegociatorit të Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, dhe komisionares evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në Bruksel.

Sipas njoftimit të Zulfajt, palët diskutuan për forcimin e sundimit të ligjit, konsolidimin e institucioneve demokratike dhe zbatimin e reformave në kuadër të integrimit evropian. Zulfaj theksoi përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave themelore të BE-së dhe harmonizimit me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së unionit.

Në takim u shqyrtua edhe përparimi në kuadër të Planit të Rritjes, integrimi në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA) dhe nisma “Roam Like at Home”. Sipas kryenegociatorit, Qeveria e Kosovës po i trajton këto procese me prioritet.

Aplikimi për anëtarësim në BE

Një prej temave kryesore ishte aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, i dorëzuar më 15 dhjetor 2022. Zulfaj e falënderoi Kosin për angazhimin në procesin e zgjerimit dhe kërkoi mbështetjen aktive të Komisionit Evropian për dorëzimin e pyetësorit, marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave.

Ai tha se Kosova është e vetëdijshme për sfidat e procesit të zgjerimit dhe se ato do të adresohen gjatë rrugës drejt anëtarësimit. Zulfaj përmendi gjithashtu mbështetjen e qytetarëve për integrimin evropian dhe vlerësoi kontributin e mbështetjes e investimeve të BE-së në ndërtimin e institucioneve demokratike, garantimin e të drejtave të barabarta dhe sigurinë.

Diskutimet për Ligjin për Specialen

Në takim u diskutua edhe për zhvillimet në Kosovë, përfshirë ligjin për Dhomat e Specializuara, të miratuar nga Kuvendi. Sipas njoftimit, Zulfaj i shpjegoi Kosit kontekstin e miratimit të ligjit dhe e cilësoi të padrejtë verdiktin e shpallur më 16 shtator ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai shprehu pritjen që vendimi të korrigjohet në shkallën e apelit dhe bëri të ditur se Qeveria ka formuar një grup punues për hartimin e një strategjie shtetërore për këtë çështje. Në përfundim, Zulfaj riafirmoi përkushtimin e Kosovës për vazhdimin e reformave dhe bashkëpunimin me institucionet e Bashkimit Evropian.