Kosova synon zhvillim më të qëndrueshëm të qyteteve me Vizionin Hapësinor 2050

Kosova synon zhvillim më të qëndrueshëm të qyteteve me Vizionin Hapësinor 2050

Si mund të planifikohen qytetet e Kosovës për dekadat e ardhshme? Zvicra ka shprehur mbështetje për hartimin e Vizionit Hapësinor 2050, që synon zhvillim të balancuar, qëndrueshmëri klimatike dhe kushte më të mira jetese.

Zvicra ka shprehur mbështetje për Kosovën në hartimin e Vizionit Hapësinor 2050, dokument që synon të orientojë zhvillimin afatgjatë të vendit dhe planifikimin e qyteteve.

Ambasada e Zvicrës në Kosovë bëri të ditur përmes një postimi në Facebook se një vizion i qartë afatgjatë është i rëndësishëm për zhvillim të balancuar, rritje të qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike dhe përmirësim të ndërlidhjes.

“Zvicra është krenare që mbështet Kosovën në hartimin e Vizionit Hapësinor 2050”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Sipas saj, planifikimi i mirëfilltë hapësinor mund të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët në të gjithë vendin. Vizioni synon të shërbejë si orientim për zhvillimin e Kosovës dhe për mënyrën se si planifikohen qytetet në afat të gjatë.

Ambasada deklaroi se do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për krijimin e qyteteve më të përshtatshme për jetesë, më të qëndrueshme dhe të planifikuara më mirë.

“Ne mbetemi të përkushtuar për të mbështetur përpjekjet e Kosovës për të ndërtuar qytete më të jetueshme, më të qëndrueshme dhe të planifikuara më mirë për gjeneratat e ardhshme”, thuhet në postim.

Hartimi i Vizionit Hapësinor 2050 synon të vendosë një drejtim afatgjatë për zhvillimin hapësinor të vendit, me theks te planifikimi urban dhe kushtet e jetesës për brezat e ardhshëm.