Kritika ndaj qeverisjes së Ardian Gjinit për shkollat në Gjakovë

Kritika ndaj qeverisjes së Ardian Gjinit për shkollat në Gjakovë

Alternativa në Gjakovë kërkon përgjigje nga komuna për shqetësimet rreth shkollave, nga mungesa e investimeve te orët e humbura. Partia kërkon gjithashtu sqarime për mësimdhënien e lëndëve dhe drejtimin e shkollave nga ushtrues detyre.

Dega e Alternativës në Gjakovë i ka kërkuar kryetarit të komunës, Ardian Gjini, dhe Drejtorisë Komunale të Arsimit të japin përgjigje për shqetësimet që lidhen me shkollat dhe organizimin e procesit mësimor. Në një reagim të publikuar në Facebook, partia ka ngritur çështje si mungesa e investimeve, humbja e orëve mësimore dhe vonesat në zëvendësimin e mësimdhënësve.

Alternativa thotë se pamjet e publikuara nga prindërit në media dhe rrjete sociale, ku shfaqen klasat ku mësojnë fëmijët e tyre, duhet të shërbejnë si alarm për institucionet lokale. Partia kërkon që komuna dhe Drejtoria e Arsimit të marrin përgjegjësi për problemet e ngritura.

Një prej kritikave ka të bëjë me ndarjen e lëndëve dhe përgatitjen profesionale të mësimdhënësve. Sipas Alternativës, në raste të caktuara lëndë si matematika po ligjërohen nga mësimdhënës që nuk kanë përgatitjen përkatëse.

“Si mund të flasim për arsim cilësor kur në raste të caktuara matematikën e ligjërojnë mësimdhënës të biologjisë, apo mësimdhënëse klasor?”, thuhet në reagimin e partisë.

Alternativa ka ngritur gjithashtu çështjen e udhëheqjes së shkollave nga ushtrues detyre të drejtorëve. Sipas saj, një numër i konsiderueshëm i institucioneve shkollore në Gjakovë drejtohen nga ushtrues detyre për më shumë se gjashtë muaj.

Partia i ka bërë thirrje kryetarit Gjini dhe Drejtorisë Komunale të Arsimit të dalin para qytetarëve me përgjigje konkrete, të publikojnë masat që planifikojnë të ndërmarrin dhe të paraqesin një plan për përmirësimin e infrastrukturës shkollore, organizimin e mësimit dhe menaxhimin e institucioneve arsimore. Alternativa ka theksuar se arsimi duhet të jetë prioritet i institucioneve komunale dhe ka kërkuar llogaridhënie për gjendjen në shkollat e qytetit.