Kryeministri i Maltës: Mbështesim rrugën evropiane të Kosovës

Kryeministri maltez Robert Abela i ka dërguar urim Albin Kurtit për rizgjedhjen në krye të Qeverisë. Në letër, ai riafirmoi mbështetjen e Maltës për aspiratat evropiane të Kosovës dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Kryeministri i Maltës, Robert Abela, i ka dërguar letër urimi kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pas rizgjedhjes së tij në krye të Qeverisë. Në letër, Abela ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe ka riafirmuar mbështetjen e Maltës për aspiratat evropiane të Kosovës.
Abela ka vlerësuar marrëdhëniet dypalëshe mes Maltës dhe Kosovës, duke thënë se ato janë të shkëlqyera. Ai ka shprehur pritjen që bashkëpunimi i afërt të vazhdojë dhe që lidhjet e miqësisë mes dy vendeve të forcohen më tej.
“Malta dhe Republika e Kosovës gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe, dhe mezi pres që të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë teksa forcojmë edhe më shumë lidhjet e miqësisë ndërmjet dy vendeve tona”, ka shkruar kryeministri maltez.
Në mesazhin e tij, Abela ka rikonfirmuar gjithashtu mbështetjen e Maltës për synimin e Kosovës për integrim evropian. Ai i ka uruar Kurtit sukses ndërsa vendi vazhdon rrugën drejt Evropës.
“Dua të riafirmoj mbështetjen e palëkundur të Maltës për aspiratat evropiane të Kosovës dhe t’ju uroj sukses teksa vendi juaj vazhdon të përparojë në rrugën evropiane”, thuhet në letrën e kryeministrit maltez.