Kryesia e Aleancës diskuton zhvillimet politike dhe përgatit takimin e së shtunës

Kryesia e Aleancës diskuton zhvillimet politike dhe përgatit takimin e së shtunës

Aleanca po përgatitet për mobilizim të strukturave dhe të shtunën do të mbajë takim të gjerë në Prishtinë. Në mbledhje, Kryesia diskutoi zhvillimet politike, çështjen e Dhomave të Specializuara dhe miratoi raportin financiar tremujor.

Aleanca ka vendosur të intensifikojë angazhimin politik dhe organizativ, ndërsa të shtunën do të mbajë në Prishtinë takimin e parë të gjerë me strukturat e saj. Në këtë takim pritet të prezantohet platforma politike dhe të diskutohen hapat e ardhshëm të veprimit.

Vendimi u bë i ditur pas mbledhjes së radhës së Kryesisë së Aleancës, ku u shqyrtuan zhvillimet e fundit politike në vend. Diskutimet u përqendruan veçanërisht te proceset pas zgjedhjes së Presidentes dhe votimi i ligjit lidhur me Dhomat e Specializuara në Hagë.

Sipas njoftimit, Aleanca e rikonfirmoi pozicionin e saj si opozitë dhe tha se synon të ofrojë alternativa konkrete e të matshme. Në deklaratë u theksua gjithashtu se partia do të mbrojë interesin shtetëror dhe do të kërkojë zgjidhje që u shërbejnë vendit dhe qytetarëve.

Për çështjet që lidhen me Hagën, Aleanca përsëriti qëndrimin në mbrojtje të luftës çlirimtare dhe të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo vlerësoi se ndihma ligjore për krerët e UÇK-së duhet të trajtohet me seriozitet shtetëror, pa ndërhyrje dhe pa u përdorur për qëllime të politikës ditore.

Vendime organizative

Një pjesë e mbledhjes iu kushtua forcimit të strukturave të Aleancës në të gjitha nivelet organizative. Takimi i së shtunës në Prishtinë shihet si hapi konkret i këtij procesi mobilizimi, ku krahas platformës do të paraqiten edhe drejtimet e angazhimit politik për periudhën në vijim.

Kryesia miratoi edhe raportin financiar tremujor. Po ashtu, vendosi që nënkryetari i parë, Besnik Tahiri, deri në mbledhjen e ardhshme t’i paraqesë propozim-statutin dhe propozim-programin për themelimin e Akademisë Politike të së Djathtës të Aleancës.