Kurti: Për procesin e apelit nevojitet qasje shtetërore e koordinuar

Kurti: Për procesin e apelit nevojitet qasje shtetërore e koordinuar

Albin Kurti njoftoi se Qeveria do të marrë vendim për mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së në procesin e apelit. Ai tha se hapat e ardhshëm duhet të bazohen në analizën e aktgjykimit dhe në një strategji të koordinuar.

Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar se Qeveria do të marrë një vendim lidhur me mbështetjen për ish-krerët e UÇK-së, të dënuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Njoftimin e bëri gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë.

Kurti kujtoi se po afrohet një muaj nga aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët u shpallën fajtorë. Ai tha se Qeveria do të vazhdojë t’i mbështesë me mjetet që ka në dispozicion në procesin e apelit.

“Siç kemi bërë prej fillimit të këtij procesi, qeveria do të vazhdojë me mjetet që i ka në dispozicion t’i mbështesë të akuzuarit në procesin e apelit, ku presim korrigjimin e kësaj padrejtësie”, u shpreh Kurti.

Kryeministri tha se përgatitja e hapave të mëtejshëm kërkon analizë të hollësishme të aktgjykimit në formën e plotë. Sipas tij, mbështetja për ish-krerët dhe interesat e vendit duhet të udhëhiqen nga një strategji e menduar mirë.

“Për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së dhe për vendin tonë, duhet një strategji e mirëmenduar. Fillimisht duhet një analizë e thellë pas aktgjykimit në formën e tij të plotë që të veprojmë përpara”, tha ai.

Kurti theksoi se organizimi dhe koordinimi në nivel shtetëror e kombëtar janë të nevojshëm për procesin e apelit. Ai njoftoi se vendimi i planifikuar për sot do të lidhet me këtë qasje.

“Në apel na duhet suksesi, e për këtë gjë nevojitet organizim dhe strategji shtetërore e kombëtare. Prandaj sot do të marrim një vendim përkatës të rëndësishëm”, deklaroi kryeministri.