Kush përfiton nga lirimi i tarifave për pasaportë dhe letërnjoftim?

Kush përfiton nga lirimi i tarifave për pasaportë dhe letërnjoftim?

Disa kategori qytetarësh do të përfitojnë nga lirimi i tarifave për pasaportë dhe letërnjoftim. Lehtësia vlen për aplikimet në procedurë të rregullt dhe përfshin, mes të tjerëve, invalidët e UÇK-së dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Disa kategori qytetarësh të Kosovës do të lirohen nga pagesa e tarifave për aplikim për pasaportë dhe letërnjoftim. Njoftimi është bërë nga Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Stamboll, duke iu referuar vendimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Përjashtimi nga tarifat përfshin invalidët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), si dhe anëtarët e ngushtë të familjeve të dëshmorëve dhe të personave të zhdukur të UÇK-së.

Në listën e përfituesve janë edhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, personat me aftësi të kufizuara të kategorizuar sipas legjislacionit në fuqi, si dhe personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë.

Konsullata ka bërë të ditur se lirimi vlen vetëm për procedurën e rregullt të aplikimit për pasaportë dhe letërnjoftim. Njoftimi u drejtohet qytetarëve që bëjnë pjesë në kategoritë e përcaktuara dhe paraqesin kërkesë për këto dokumente.