Kuvendi dhe Forumi Ekonomik i Grave shqyrtojnë mundësitë e bashkëpunimit

Kuvendi dhe Forumi Ekonomik i Grave shqyrtojnë mundësitë e bashkëpunimit

Bashkëpunimi për fuqizimin ekonomik të grave ishte në qendër të takimit mes Albulena Haxhiut dhe delegacionit të Forumit Ekonomik të Grave. Haxhiu përmendi mundësinë e trajnimeve për deputetët dhe kontributin e Forumit në punën e komisioneve parlamentare.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, është takuar me një delegacion të Forumit Ekonomik të Grave, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin në avancimin e politikave që synojnë fuqizimin ekonomik të grave.

Sipas Haxhiut, biseda u përqendrua te hapat ndërinstitucionalë dhe mundësitë që Kuvendi të bashkëpunojë me Forumin në çështjet e barazisë gjinore.

Ajo bëri të ditur se synimi është të shqyrtohen politika legjislative që mbështesin fuqizimin ekonomik të grave, duke e trajtuar këtë çështje edhe nga këndvështrimi i barazisë gjinore.

Në takim, Haxhiu e uroi Forumin Ekonomik të Grave për dhjetëvjetorin e themelimit. Ajo shprehu gatishmërinë e Kuvendit për bashkëpunim në fushat me interes të përbashkët.

Haxhiu vlerësoi se përvoja dhe ekspertiza e Forumit mund të kontribuojnë në punën e institucionit. Si mundësi konkrete përmendi trajnimet për deputetët dhe kontributin në punën e komisioneve parlamentare.

Takimi u zhvillua në kuadër të diskutimeve për rolin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe organizatave në përparimin e politikave për fuqizimin ekonomik të grave.