Kuvendi shqyrton të hënën propozimin për rendin e seancës së ardhshme

Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën në orën 11:00. Mes çështjeve të propozuara për seancën e radhës janë përzgjedhja e anëtarëve të Bordit të RTK-së dhe emërimet në komisionet parlamentare.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet të hënën, në orën 11:00, për të shqyrtuar disa çështje, përfshirë propozimin për rendin e ditës së seancës së ardhshme plenare.
Sipas njoftimit të zyrës për media të Kuvendit, në fillim të mbledhjes anëtarët e Kryesisë do të shqyrtojnë dhe miratojnë procesverbalet e takimeve të mëparshme të këtij organi.
Në rendin e propozuar për seancën plenare është përfshirë edhe miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme.
Një nga pikat e tjera parashikon formimin e një komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës. Komisioni do të merret me përzgjedhjen e dy anëtarëve nga komuniteti shqiptar, një anëtari nga komuniteti serb dhe një anëtari nga komunitetet joshumicë.
Po ashtu, në rendin e propozuar është votimi i propozimit të Grupit Parlamentar të Listës Serbe për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.
Kryesia do të shqyrtojë gjithashtu propozime dhe kërkesa të tjera të paraqitura për mbledhje.