Kuvendi synon të dërgojë përfaqësues në grupin shtetëror për Apelin në Hagë

Kuvendi pritet të përfaqësohet në grupin punues që koordinon mbështetjen shtetërore për ish-krerët e UÇK-së në procesin e Apelit në Hagë. Albulena Haxhiu tha se propozimi për delegimin e një përfaqësuesi do të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se Kuvendi pritet të përfshihet në grupin punues të themeluar nga Qeveria për koordinimin e mbështetjes shtetërore ndaj ish-krerëve të UÇK-së në procesin e Apelit në Hagë.
Në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë së Kuvendit do të propozohet delegimi i një përfaqësuesi të këtij organi në grupin punues. Haxhiu tha se ky hap synon të sigurojë kontribut institucional në mbështetjen e procesit të Apelit.
Ajo e mirëpriti vendimin e Qeverisë për krijimin e grupit dhe e cilësoi aktgjykimin e 16 shtatorit si “të padrejtë dhe të pasaktë”. Sipas Haxhiut, në këtë fazë nevojitet një strategji e përbashkët shtetërore, e shoqëruar me angazhim të koordinuar dhe mbështetje të plotë institucionale.
“Kuvendi do të jetë pjesë e këtij angazhimi”, deklaroi ajo, duke shtuar se delegimi i përfaqësuesit do të propozohet në mbledhjen e radhës të Kryesisë.
Haxhiu gjithashtu tha se lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë dhe çlirimtare, duke u shprehur se kjo e vërtetë do të vazhdojë të thuhet dhe të mbrohet.
Kryeministri Albin Kurti kishte njoftuar më herët se grupin punues do ta kryesojë Glauk Konjufca. Grupi do të trajtojë bashkërendimin e mbështetjes shtetërore për ish-krerët e UÇK-së gjatë procesit të Apelit.