LDK-ja propozon Kujtim Shalën për Grupin Punues rreth Gjykatës Speciale

LDK-ja propozon Kujtim Shalën për Grupin Punues rreth Gjykatës Speciale

LDK-ja do të marrë pjesë në Grupin Punues për Gjykatën Speciale. Lumir Abdixhiku tha se partia ka propozuar Kujtim Shalën, ndërsa si alternativë përmendi Jehona Lushaku Sadriun.

Lidhja Demokratike e Kosovës do të marrë pjesë në Grupin Punues të formuar për Gjykatën Speciale, bëri të ditur kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku. Ai tha se për përfaqësim në këtë grup i ka propozuar shefes së grupit parlamentar deputetin Kujtim Shala.

Abdixhiku u shpreh se, nëse Shala nuk mund të marrë pjesë, përfaqësuese e LDK-së do të jetë deputetja Jehona Lushaku Sadriu.

“Po natyrisht, do të marrim pjesë. I kërkova shefes së grupit parlamentar që të propozojë akademik Kujtim Shalën. Nëse akademik Kujtim Shala nuk mund të marrë pjesë, atëherë me siguri do të jetë vetë Jehona Lushaku Sadriu”, deklaroi ai.

Kryetari i LDK-së tha se partia e sheh të mirëseardhur çdo përpjekje të përbashkët kombëtare, por paralajmëroi se iniciativat duhet të kenë efekt juridik.

“Çdo përpjekje e përbashkët kombëtare është e mirëseardhur, për aq sa nuk i mashtrojmë qytetarët e Kosovës me iniciativa që s’kanë efekt juridik, gjithçka tjetër është e pranueshme”, u shpreh Abdixhiku.