Lidhja Shqiptare kërkon dorëheqjen e ministrit Toshkovski pas rastit në Shkup

Lidhja Shqiptare kërkon dorëheqjen e ministrit Toshkovski pas rastit në Shkup

Lidhja Shqiptare kërkon që dhuna e raportuar ndaj të rinjve shqiptarë në Shkup të hetohet si vepër penale dhe të ketë përgjegjësi politike. Organizata kërkon edhe dorëheqjen e ministrit Pançe Toshkovski dhe zëvendësministrit Astrit Iseni.

Lidhja Shqiptare ka reaguar pas raportimeve për dhunë të ushtruar nga policia ndaj të rinjve shqiptarë në Shkup, duke kërkuar që rasti të trajtohet si vepër penale dhe të pasohet me përgjegjësi përtej masave disiplinore ndaj policëve të përfshirë.

Në deklaratën e saj, organizata e cilësoi ngjarjen si pjesë të një modeli represioni ndaj shqiptarëve dhe tha se, sipas informacioneve që ka, nuk bëhet fjalë për rast të izoluar. Ajo e krahasoi situatën me periudhën e qeverisjes së Nikolla Gruevskit, kur, sipas saj, shqiptarët në Shkup dhe gjetkë ishin përballur me dhunë nga policia dhe huliganë.

Lidhja Shqiptare kërkoi që autorët e dyshuar të përballen me dënimin e merituar dhe që të shqyrtohet edhe përgjegjësia komanduese e politike. Ajo kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, dhe zëvendësministrit Astrit Iseni.

Thirrje për reagim ndërkombëtar

Organizata u bëri thirrje përfaqësive diplomatike të vendeve evropiane, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian që të reagojnë për të parandaluar, siç u shpreh, skenarë kundër shqiptarëve. Po ashtu, kërkoi që Misioni i OSBE-së, Komiteti i Helsinkit dhe organizata të tjera ndërkombëtare ta evidentojnë dhe raportojnë rastin.

Sipas Lidhjes Shqiptare, të rinjve u janë cenuar të drejta themelore, përfshirë të drejtën për jetë dhe shëndet. Organizata bëri të ditur se u ka dërguar letër zyrtare përfaqësive diplomatike dhe organizatave ndërkombëtare të akredituara në vend.