Magdalena Andersson nuk merr mbështetjen e parlamentit suedez për postin e kryeministres

Magdalena Andersson nuk merr mbështetjen e parlamentit suedez për postin e kryeministres

Kandidatura e Magdalena Anderssonit për kryeministre të Suedisë u rrëzua në parlament. 248 deputetë votuan kundër, ndërsa 99 e mbështetën emërimin e saj.

Kandidatura e Magdalena Anderssonit për kryeministre të Suedisë u rrëzua në parlament, pasi shumica e deputetëve votuan kundër emërimit të saj. Në votim, 99 deputetë u shprehën pro, ndërsa 248 votuan kundër.

Kryetari i parlamentit, Andreas Norlen, njoftoi se propozimi ishte rrëzuar, pasi më shumë se gjysma e deputetëve votuan kundër emërimit të lideres së Socialdemokratëve.

Votimi u zhvillua pasi Andersson kishte deklaruar të martën se nuk kishte arritur deri atëherë të formonte qeverinë pas zgjedhjeve të shtatorit. Megjithatë, ajo ishte e gatshme që kandidatura e saj për kryeministre të shqyrtohej nga parlamenti.

Blloku i qendrës së majtë, pjesë e të cilit janë Socialdemokratët, fitoi ngushtë zgjedhjet me 176 vende në parlament. Koalicioni i djathtë fitoi 173 vende.

Pavarësisht epërsisë së ngushtë në numra, blloku i qendrës së majtë mbeti i përçarë për përbërjen e qeverisë së re. Pas votimit kundër Anderssonit, ende nuk ishte përcaktuar se kujt do t’i besohej detyra për të shqyrtuar mundësinë e formimit të qeverisë së ardhshme.