Mamografi falas për 100 gra e vajza në Gostivar

Mamografi falas për 100 gra e vajza në Gostivar

Njëqind gra dhe vajza në Gostivar do të mund të përfitojnë nga kuponët për mamografi falas. Nisma vjen në kuadër të Tetorit Rozë, që synon ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit dhe rëndësinë e kontrolleve të rregullta.

Komuna e Gostivarit do të ofrojë 100 kuponë për mamografi falas për gratë dhe vajzat, si pjesë e aktiviteteve të Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, i njohur si “Tetori Rozë”. Njoftimin e bëri kryetari i komunës, Valbon Limani, i cili theksoi rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe diagnostikimit të hershëm.

Limani tha se iniciativa synon të mbështesë gratë dhe vajzat dhe t’i inkurajojë ato të kujdesen rregullisht për shëndetin. Ai vuri në dukje se ndërgjegjësimi dhe zbulimi i hershëm janë të rëndësishëm në luftën kundër kancerit të gjirit.

“Edhe këtë vit, Komuna e Gostivarit do të ndajë 100 kuponë për mamografi falas, me qëllim që të mbështesim gratë dhe vajzat dhe të inkurajojmë kontrollet e rregullta parandaluese”, tha Limani.

Në kuadër të fushatës, komuna dhe Shoqata “Ezra” organizuan edhe një punëtori informuese. Pjesëmarrëset patën mundësi të merrnin informacion dhe të bisedonin me profesionistë shëndetësorë për kancerin e gjirit, kontrollet dhe mundësitë për diagnostikim të hershëm.

Në punëtori morën pjesë dr. Miranda Izairi, specialiste e radiologjisë, dhe dr. Ilir Ismaili, onkolog. Ata ndanë informacione dhe këshilla për rëndësinë e kujdesit të vazhdueshëm ndaj shëndetit.