Mbi 1 mijë veta në Cyrih këndojnë bashkë me Ramë Lahajn

Cyrihu ishte ndalesa e parë e turneut ndërkombëtar “PASSION & ORIGIN” të Ramë Lahajt. Mbi 1 mijë të pranishëm u ngritën në këmbë dhe kënduan me tenorin gjatë interpretimit të “O vendi im” dhe “Luleborë”.
Tenori shqiptar Ramë Lahaj e nisi turneun ndërkombëtar “PASSION & ORIGIN” me një koncert në Cyrih, ku publiku u ngrit në këmbë dhe iu bashkua artistit në interpretimin e këngëve shqipe.
Në sallën Kongresshaus/Tonhalle ishin të pranishëm mbi 1 mijë persona. Lahaj performoi i shoqëruar nga orkestra Arma, duke sjellë pjesë të përzgjedhura nga repertori ndërkombëtar i muzikës klasike dhe asaj të popullarizuar.
Mbrëmja u prit me duartrokitje të gjata, ndërsa momentet më emocionuese erdhën gjatë interpretimit të këngëve “O vendi im” dhe “Luleborë”. Të pranishmit u ngritën në këmbë dhe kënduan në kor me tenorin.
Për shumë prej pjesëmarrësve, këto këngë u kthyen në momente malli dhe lidhjeje me vendlindjen. Koncerti dëshmoi se muzika mund të bashkojë shqiptarët edhe larg atdheut, duke ruajtur lidhjen emocionale me rrënjët dhe identitetin.
Turneu do të vazhdojë në qytete të tjera
Pas Cyrihut, turneu pritet të ndalet edhe në qytete të tjera të Gjermanisë, Austrisë dhe vendeve të tjera evropiane. Përmes tij, Lahaj synon të prezantojë artin e tij para publikut ndërkombëtar dhe të promovojë veprimtarinë e Fondacionit Ramë Lahaj.
Fondacioni, i themeluar nga tenori, ka për mision promovimin e muzikës klasike, zbulimin dhe edukimin e talenteve të reja në Kosovë dhe trojet shqiptare, si dhe krijimin e lidhjeve mes artistëve shqiptarë dhe skenave ndërkombëtare të operës.