Ministri Demo njofton për 51 punonjës policie të lënduar në Tiranë

Ministri Demo njofton për 51 punonjës policie të lënduar në Tiranë

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, njoftoi se 51 punonjës policie janë lënduar gjatë akteve të dhunës në Tiranë. Disa prej tyre po marrin trajtim në Spitalin Universitar të Traumës. Demo dënoi sulmet dhe bëri thirrje që e drejta për protestë të mos përdoret si justifikim për dhunë.

Pesëdhjetë e një punonjës të Policisë së Shtetit janë lënduar gjatë akteve të dhunës në Tiranë, bëri të ditur ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Ervin Demo. Ai njoftoi se disa prej tyre po marrin kujdes mjekësor në Spitalin Universitar të Traumës.

Në një postim në Facebook, Demo dënoi dhunën ndaj policisë dhe tha se e drejta për të protestuar nuk mund të përdoret si arsyetim për sulme ndaj efektivëve që kanë përgjegjësi për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

“Pas çdo uniforme është një njeri. Një prind, një bir, një bijë, një familjar që ka dalë nga shtëpia për të përmbushur detyrën dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve”, shkroi ministri. Ai e cilësoi dhunën ndaj punonjësve të policisë të papranueshme dhe theksoi se ajo nuk mund të jetë pjesë e së drejtës për protestë.

Demo shprehu mirënjohje për efektivët që, sipas tij, vazhduan detyrën përballë dhunës dhe rrezikut, me profesionalizëm e përgjegjësi. Ai u uroi shërim të shpejtë të gjithë punonjësve të lënduar dhe tha se qëndron pranë tyre dhe familjeve të tyre.

“Pas uniformës është njeriu. Pas detyrës është sakrifica. Dhe kjo sakrificë meriton respektin e të gjithëve”, shkroi Demo në përfundim të postimit.