Moti i keq godet Napolin, Barin dhe Siçilinë: dhjetëra banesa nën ujë

Moti i keq godet Napolin, Barin dhe Siçilinë: dhjetëra banesa nën ujë

Stuhitë kanë përmbytur disa zona në jug të Italisë, me dëme në Napoli, Bari dhe ishullin Lipari. Zjarrfikësit kanë kryer rreth 150 ndërhyrje në Napoli, ndërsa autoritetet kanë shpallur alarm portokalli në katër rajone.

Stuhitë e fuqishme kanë shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje dheu në disa zona të jugut të Italisë, ndërsa ekipet e emergjencës po përballen me dëme dhe vështirësi në qarkullim. Napoli dhe Bari janë ndër zonat më të prekura, kurse autoritetet kanë ngritur nivelin e alarmit për shkak të reshjeve intensive dhe rrezikut nga moti i keq.

Në Napoli, zjarrfikësit kanë kryer rreth 150 ndërhyrje për përmbytje dhe dëmtime të ndërtesave. Në Mergellina, pas një rrëshqitjeje dheu, u evakuuan paraprakisht banorët e tri apartamenteve.

Edhe në Bari, uji mbuloi rrugë dhe nënkalime, duke vështirësuar qarkullimin. Disa autobusë mbetën të bllokuar, ndërsa policia u kërkoi qytetarëve të shmangin zonat e përmbytura.

Përmbytje edhe në ishullin Lipari

Situatë e rëndë u raportua edhe në ishullin Lipari, ku uji hyri në dhjetëra banesa. Automjete mbetën të bllokuara në port dhe rrugët u mbuluan nga balta, ndërsa dy përrenj dolën nga shtrati dhe bartën mbeturina drejt plazheve e detit. Zjarrfikësit ndërhynë për të ndihmuar personat që kishin mbetur të bllokuar.

Në Melito Porto Salvo, në Kalabri, disa automjete përfunduan pranë shkëmbinjve në bregdet. Shembja e një muri dhe përmbytja e rrugëve krijuan situata të rrezikshme, ndaj autoritetet u kërkuan banorëve të kufizojnë lëvizjet dhe të dalin nga shtëpitë vetëm kur është e domosdoshme.

Mbrojtja Civile e Italisë ka shpallur alarm portokalli për pjesë të Kampanias, Kalabrisë, Pulias dhe Siçilisë. Paralajmërimi lidhet me reshje të dendura, erëra të forta dhe mundësinë e stuhive të tjera, ndërsa ekipet e emergjencës vazhdojnë monitorimin e zonave të prekura.