Mungesa e kuorumit pengon mbledhjen e Komisionit për Ekonomi

Mbledhja e Komisionit për Ekonomi nuk u zhvillua për shkak të mungesës së kuorumit. Në sallë ishin vetëm gjashtë anëtarë, ndërsa kryetari Arben Mustafa kërkoi respektimin e orarit në takimet e ardhshme.
Mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion në Kuvendin e Kosovës nuk u mbajt, pasi në sallë u paraqitën vetëm gjashtë anëtarë dhe mungoi kuorumi i nevojshëm për shqyrtimin e pikave të rendit të ditës.
Seanca nisi me 35 minuta vonesë. Anëtarët e pranishëm pritën që t’u bashkoheshin kolegë të tjerë, por numri i pjesëmarrësve nuk u rrit mjaftueshëm për të vazhduar punën e komisionit.
Kryetari i komisionit, Arben Mustafa nga Partia Demokratike e Kosovës, u kërkoi deputetëve që në mbledhjet e ardhshme të respektojnë orarin e dakorduar. Ai vuri në dukje se vonesat ndikojnë edhe në angazhimet e deputetëve në komisione të tjera.
Mustafa rikujtoi se mbledhja ishte caktuar për të martën në orën 10:00 dhe kërkoi që ky orar të respektohet. Pavarësisht pritjes, në takim morën pjesë vetëm gjashtë anëtarë, ndaj komisioni nuk mundi të procedonte me pikat e planifikuara.