Musa vlerëson ligjin e ri për Dhomat e Specializuara: Gjykimi nuk paragjykohet

Musa vlerëson ligjin e ri për Dhomat e Specializuara: Gjykimi nuk paragjykohet

Avokati Skender Musa e vlerësoi pozitivisht miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Sipas tij, synimi është garantimi i një procesi të drejtë dhe qartësimi i kompetencave, pa paragjykuar vendimet e gjykatës. Kuvendi e miratoi projektligjin në lexim të dytë me 88 vota për.

Avokati Skender Musa e ka cilësuar pozitive miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Sipas tij, qëllimi i projektligjit është të garantojë proces të drejtë gjyqësor, pa ndërhyrë në vendimmarrjen e gjykatës.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Musa tha se ndryshimet synojnë të kufizojnë fushëveprimin e gjykatës dhe ta afrojë ligjin me propozimin fillestar të Këshillit të Evropës, të lidhur me raportin e Dick Marty-t dhe veprat që lidhen me krimet e luftës.

Ai vlerësoi se miratimi përbën një zgjidhje të mirë, duke theksuar se ligji nuk përcakton paraprakisht rezultatin e gjykimeve. Sipas tij, synimi është të sigurohet një proces i drejtë dhe të qartësohet fusha në të cilën veprojnë Dhomat e Specializuara.

Musa tha se kompetenca e Dhomave lidhet me veprat që kanë të bëjnë me krimet e luftës. Sipas tij, veprat që nuk ndërlidhen me këto krime nuk kanë qenë dhe nuk janë pjesë e kompetencës së tyre.

Sa i përket ndikimit të ndryshimeve në vendimet gjyqësore, avokati deklaroi se ato nuk ndikojnë drejtpërdrejt në vendimmarrje. Megjithatë, sipas tij, ndryshimet synojnë të krijojnë më shumë objektivitet për palët në procedurë, trupin gjykues dhe kolegjet.

Kuvendi i Kosovës e miratoi në lexim të dytë ndryshimin e ligjit më 6 tetor, me 88 vota për. Pas miratimit pati reagime nga ambasadat e akredituara në Prishtinë dhe nga Bashkimi Evropian.