Musk kritikon Zelenskyn mes tensioneve për komunikimet satelitore dhe ndihmën amerikane

Musk kritikon Zelenskyn mes tensioneve për komunikimet satelitore dhe ndihmën amerikane

Elon Musk i bëri thirrje presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky të largohet nga detyra, në kohën kur Kievi po ngre shqetësime për mbështetjen amerikane. Në qendër të debatit janë edhe Starlink-u dhe sistemet satelitore që përdoren për komunikime në luftë.

Elon Musk i ka bërë thirrje presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky të largohet nga detyra, ndërsa Kievi shpreh shqetësime për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe funksionimin e sistemeve satelitore që përdoren në luftë.

“Dhe kështu masakra vazhdon. Koha që Zelensky të largohet”, shkroi Musk në rrjetin X. Deklarata vjen pasi Ukraina e ka akuzuar Uashingtonin se nuk e ka paralajmëruar për sulme të ardhshme me raketa ruse dhe se ka dobësuar reagimin e saj ushtarak përmes ndryshimeve në sistemet satelitore të lidhura me kompanitë e Musk.

Zelensky i kishte kërkuar Muskutit të rivendoste shërbimin Starlink, për të cilin Kievi thotë se është ngadalësuar. Musk, nga ana e tij, ka thënë se çdo ndërprerje është përgjegjësi e qeverisë amerikane.

Debati për sistemet satelitore

Musk ka dalluar Starshield nga Starlink. Sipas tij, Starshield, të cilin Ukraina e përdor për komunikime në fushën e betejës, kontrollohet nga Uashingtoni; Starlink është sistem satelitor civil, të cilin Ukraina e përdor gjithashtu, por nuk lejohet ta shfrytëzojë për operacione ofensive.

Tensionet janë shtuar edhe pas njoftimit të presidentit amerikan Donald Trump për një marrëveshje furnizimi me naftë me Rusinë. I pyetur nëse ndihej i tradhtuar, Zelensky u përgjigj po.

Një zyrtar i lartë ukrainas tha se Shtetet e Bashkuara së fundmi kishin kërcënuar të ndalonin ndarjen e informatave për lëshimet e raketave ruse, të cilat Ukraina i përdor për t’u përgatitur ndaj sulmeve. Trump e ka mohuar këtë pretendim.

Trump ka fajësuar sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse të naftës për presionin mbi furnizimin dhe rritjen e çmimeve të karburantit. Çmimet janë çështje e rëndësishme për votuesit amerikanë, ndërsa vendi po i afrohet zgjedhjeve të mesmandatit.