Mustafi vlerëson angazhimin e Kurtit për Luginën dhe bën thirrje për koordinim

Mustafi vlerëson angazhimin e Kurtit për Luginën dhe bën thirrje për koordinim

Ragmi Mustafi kërkon që subjektet politike shqiptare në Luginën e Preshevës të gjejnë një rrugë të përbashkët. Ai vlerësoi angazhimin e Albin Kurtit për çështjen dhe bëri thirrje për një platformë të përbashkët në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi, ka bërë thirrje për bashkim të faktorit politik shqiptar në Luginën e Preshevës, duke e cilësuar koordinimin si rrugën për të kërkuar zgjidhje ndaj diskriminimit sistematik.

Sipas Mustafit, ndasitë mes subjekteve politike mbeten një nga sfidat kryesore të shqiptarëve të Luginës. Ai përmendi se në Këshillin e Preshevës veprojnë rreth tetë subjekte politike, por tha se është krijuar mundësia për të ndërtuar një rrugë të përbashkët.

Mustafi theksoi se ky bashkëpunim duhet të vijë në mënyrë vullnetare dhe përmes një procesi organik e autentik, të udhëhequr nga vetë shqiptarët e Luginës. Në këtë kontekst, ai vlerësoi angazhimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për çështjen e tyre.

“Shqiptarët, nëse kanë një element që i bashkon, është ndasia në shumë subjekte politike. Edhe në Këshillin e Preshevës janë diku tetë subjekte politike. Por, krahas kësaj, kryeministri Kurti ka krijuar një hapësirë për ta gjetur rrugën e përbashkët, vullnetarisht dhe në një dinamikë që është organizim organik e autentik i vetë shqiptarëve të Luginës”, tha Mustafi.

Thirrje për platformë të përbashkët

Duke folur për përfaqësimin në Kuvendin e Serbisë, Mustafi rikujtoi historikun parlamentar që nga vitet ’90, duke përmendur Behlul Nasufin dhe Ramazan Ahmetin, i cili ishte deputet në vitin 1997.

Ai tha se zhvillimet e vitit 2026 e kanë bërë më të qartë nevojën që shqiptarët e Luginës t’i kapërcejnë ndasitë dhe të ndërtojnë një platformë të përbashkët për mbrojtjen e të drejtave të tyre. “Tash, në vitin 2026, është bërë e qartë se shqiptarët nuk kanë tjetër përveç njëri-tjetrit. Duhet ta gjejnë rrugën e përbashkët dhe të kërkojnë zgjidhje për diskriminimin sistematik”, u shpreh ai.

Mustafi e cilësoi Kurtin ndër udhëheqësit që e kanë trajtuar seriozisht çështjen e Luginës së Preshevës dhe që e kanë vendosur atë në vëmendjen institucionale të Kosovës. Për përfaqësimin aktual në Kuvendin e Serbisë, ai renditi Shaip Kamberin nga Bujanoci të parin, Visar Mehmetin nga Presheva të dytin dhe Bajram Mustafën nga Medvegja të tretin.