Ndërhyrje në disa rrugë të Mitrovicës, mund të ketë ndërprerje të ujit

KRU “Mitrovica” do të kryejë punime në rrjetet e ujësjellësit dhe kanalizimit në disa lokacione të qytetit dhe rrethinës. Gjatë ndërhyrjeve mund të ketë ndërprerje të përkohshme të ujit; pas rikthimit, uji mund të jetë për pak kohë i turbullt.
Ekipet e mirëmbajtjes së Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica” do të kryejnë punime në rrjetin e ujësjellësit dhe atë të kanalizimit në disa lokacione të Mitrovicës dhe rrethinës.
Sipas njoftimit të kompanisë, ndërhyrjet në rrjetin e ujësjellësit do të zhvillohen në rrugën “Shpëtimi”, në Vaganicë, si dhe në rrugët “Lyra”, “Shaban Gavazi”, “Isak Ibrahimi”, “Mbretëresha Teuta” dhe “Troja”. Punime do të ketë edhe në fshatin Koshtovë.
Ndërhyrje në rrjetin e kanalizimit janë planifikuar në rrugët “Dora Vegman”, “Evlia Qelebia”, “Mbretëresha Teuta”, “Martirët e Kombit” dhe “Kralja Petra”.
KRU “Mitrovica” ka paralajmëruar se gjatë punimeve në ujësjellës mund të ketë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë. Kompania ka bërë të ditur gjithashtu se pas rikthimit të furnizimit, uji mund të dalë përkohësisht i turbullt.
Në rast se uji është i turbullt, konsumatorëve u rekomandohet ta lënë të rrjedhë për disa minuta, derisa të kthjellohet.