Në forumin në Tiranë, Ferati kërkon më shumë partneritete ekonomike në Ballkan

Bashkëpunimi ekonomik ishte në qendër të mesazhit të ministrit Agon Ferati në një forum rajonal në Tiranë. Ai u shpreh se partneritetet mund ta shndërrojnë Ballkanin në hapësirë mundësish dhe zhvillimi të përbashkët.
Ministri për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, ka marrë pjesë në Balkan Business Forum në Tiranë, ku foli për rolin e bashkëpunimit ekonomik në forcimin e lidhjeve mes vendeve të Ballkanit.
Para pjesëmarrësve të forumit, Ferati tha se partneritetet dhe interesat e përbashkëta mund t’i ndihmojnë vendet e rajonit të shfrytëzojnë më mirë potencialin e tyre dhe të krijojnë perspektiva të reja zhvillimi.
“Bashkëpunimi ekonomik nuk ka humbës, por vetëm fitues. Po ndryshon perceptimi për Ballkanin: nga një rajon i identifikuar me kundërthënie dhe mosmarrëveshje historike, në një hapësirë mundësish, zhvillimi të përbashkët dhe një modeli të ri bashkëpunimi mes njerëzve dhe shoqërive të rajonit”, u shpreh ministri.
Ferati theksoi rëndësinë e tejkalimit të ndasive historike dhe të ndërtimit të marrëdhënieve të qëndrueshme përmes dialogut, bashkëpunimit dhe projekteve që krijojnë vlerë të përbashkët.
Balkan Business Forum në Tiranë mbledh aktorë ekonomikë dhe institucionalë të rajonit për shkëmbim idesh dhe forcim të lidhjeve. Synimi i forumit është të nxisë zhvillimin dhe të krijojë mundësi të reja bashkëpunimi në Ballkan.