Në Letnicë u prezantua projekti kulturor kushtuar rrugëtimit të Nënë Terezës

Në Letnicë, ministri Elbert Krasniqi foli për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Ai veçoi projektin “Rruga Kulturore – Në Gjurmët e Nënë Terezës” si shembull të mbështetjes evropiane dhe bashkëpunimit për zhvillimin e komuniteteve lokale.
Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut mund të ndihmojë zhvillimin lokal, ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe krijimin e mundësive të reja për qytetarët, ka thënë ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Ai i trajtoi këto tema të enjten në Letnicë, në kuadër të Ditës së Bashkëpunimit Evropian 2026. Krasniqi veçoi projektin “Rruga Kulturore – Në Gjurmët e Nënë Terezës”, të cilin e paraqiti si shembull të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe mbështetjes së Bashkimit Evropian.
Sipas ministrit, projekti synon të lidhë trashëgiminë kulturore dhe historike të zonës me zhvillimin e komuniteteve lokale. Letnicën ai e përshkroi si vend me domethënie të veçantë shpirtërore e historike, të lidhur ngushtë me jetën dhe rrugëtimin e Nënë Terezës.
“Projekti ‘Rruga Kulturore – Në Gjurmët e Nënë Terezës’ dëshmon se si mbështetja e Bashkimit Evropian dhe bashkëpunimi ndërinstitucional mund të shndërrohen në rezultate konkrete për komunitetet lokale”, u shpreh Krasniqi.
Ministri tha se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal mbetet e përkushtuar në fuqizimin e komunave dhe thellimin e partneriteteve ndërkufitare. Ai theksoi gjithashtu synimin për të avancuar zhvillimin e qëndrueshëm, duke e vendosur qytetarin në qendër të politikave.
Dita e Bashkëpunimit Evropian shërbeu si rast për të vënë në pah rolin e projekteve të përbashkëta në zhvillimin e zonave lokale dhe ruajtjen e trashëgimisë. Projekti kulturor i përmendur nga Krasniqi fokusohet në lidhjen e vendeve me rëndësi historike përmes rrugëtimit të Nënë Terezës.