Nikolin Jaka: Asnjë pakënaqësi nuk arsyeton dhunën dhe dëmtimin e pronës

Nikolin Jaka: Asnjë pakënaqësi nuk arsyeton dhunën dhe dëmtimin e pronës

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dënon dhunën dhe dëmtimin e pronës gjatë protestave. Ajo kërkon identifikimin e përgjegjësve, dokumentimin e dëmeve dhe veprim profesional nga Policia e Shtetit.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë ka dënuar dëmtimin e pronës publike dhe private gjatë protestave në kryeqytetin shqiptar, duke kërkuar identifikimin e personave përgjegjës dhe vënien e tyre para ligjit.

Qëndrimi është paraqitur në një deklaratë të nënshkruar nga kryetari i Dhomës, Nikolin Jaka, dhe shoqatat e biznesit. Në të dënohen aktet e vandalizmit ndaj institucioneve, bankave, qendrave tregtare dhe objekteve të sipërmarrjeve.

Dhoma rikujton se protesta paqësore është e drejtë themelore demokratike, por thekson se kjo nuk e arsyeton dhunën apo shkatërrimin e pronës. “Asnjë kauzë, pakënaqësi apo përplasje politike nuk justifikon dhunën, zjarrvënien, vandalizmin dhe cenimin e sigurisë së qytetarëve”, thuhet në reagim.

Përfaqësuesit e biznesit paralajmërojnë se dëmet nuk kufizohen te pronarët e objekteve të goditura. Ato prekin edhe punonjësit, klientët dhe familjet që varen nga të ardhurat e bizneseve, si dhe ekonominë e qytetit.

Thirrje për veprim dhe qetësi

Dhoma i ka bërë thirrje Policisë së Shtetit të veprojë në mënyrë profesionale dhe proporcionale, ndërsa personat përgjegjës për dhunën të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi individuale para ligjit.

Organizatorëve të protestave dhe forcave politike u është kërkuar të shmangin gjuhën që nxit tensione dhe të distancohen nga veprimet që mund ta përshkallëzojnë situatën. Dhoma kërkon gjithashtu dokumentimin e plotë të dëmeve dhe komunikim të drejtpërdrejtë me autoritetet për procedurat e denoncimit.

Në përfundim të deklaratës, Jaka ka theksuar se qëndrimi i përfaqësuesve të biznesit është i pavarur nga përkatësitë politike. Ata mbështesin lirinë e shprehjes, protestën paqësore, dialogun dhe zbatimin e ligjit, ndërsa kundërshtojnë dhunën dhe shkatërrimin, pavarësisht se nga kush kryhen.