Një kalimtar po operohet pas përplasjes në protestën e studentëve

Një kalimtar po operohet pas përplasjes në protestën e studentëve

Gjashtë persona mbetën të lënduar gjatë përplasjes mes policisë dhe protestuesve në protestën studentore në Tiranë. Mes tyre janë tre kalimtarë; njëri po i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale.

Gjashtë persona po marrin kujdes shëndetësor në Spitalin Universitar të Traumës, pas përplasjeve mes protestuesve dhe policisë gjatë protestës së studentëve para Ministrisë së Arsimit në Tiranë.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, në mesin e të lënduarve janë tre kalimtarë, gjendja e të cilëve paraqitet e mirë. Njëri prej tyre po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Në spital janë edhe tre protestues, të cilët gjithashtu janë në gjendje të mirë shëndetësore. Dy prej tyre do të vazhdojnë të qëndrojnë nën kujdesin e mjekëve, ndërsa për të tretin po bëhet vlerësimi nëse duhet të shtrohet.

Ndërkohë, një protestues tjetër është paraqitur gjatë natës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, me shenja intoksikimi. Pas trajtimit në urgjencë dhe marrjes së rekomandimeve mjekësore, ai është larguar nga spitali.