Një vlerësim negativ mund ta kishte ndryshuar historinë e Messit te Barcelona

Një raport i brendshëm i Barcelonës rekomandonte të pritej para se të nënshkruhej Lionel Messi, i cili atëherë ishte 13 vjeç. Por një tjetër trajner e krahasoi me Maradonën dhe këmbënguli se duhej marrë në skuadër. Vendimi përfundimtar i klubit ndryshoi historinë e tij.
Lionel Messi mund të mos e kishte nisur karrierën te Barcelona, pasi një nga vlerësimet e brendshme gjatë provave në La Masia sugjeronte që klubi të mos e nënshkruante. Dokumentet e vitit 2000 tregojnë se, ndonëse aftësitë e tij teknike vlerësoheshin, kishte edhe shqetësime për zhvillimin fizik të 13-vjeçarit.
Tri raporte të përgatitura gjatë provave të Messit në akademinë e klubit katalanas, në vjeshtën e vitit 2000, janë bërë publike nga gazetari i France Football, Florent Torchut, autor i biografisë “Rey Leo”. Në atë kohë, futbollisti nga Rosario ishte vetëm 13 vjeç.
Raporti i parë vlerësonte teknikën, vizionin e lojës dhe aftësinë e tij për të kaluar kundërshtarët. Si dobësi përmendej fiziku, ndërsa vlerësimi i dytë ishte dukshëm më skeptik.
Trajneri që e kishte vëzhguar Messin ngriti shqetësimin se gjatësia e tij, 142 centimetra, mund ta vështirësonte konkurrimin me futbollistë të kategorive më të mëdha të moshave. Në raport thuhej se Barcelona nuk duhej ta nënshkruante atë në atë moment dhe se mundësia mund të rishqyrtohej pas disa vitesh.
Megjithatë, mendimi brenda akademisë nuk ishte i njëtrajtshëm. Vlerësimi i tretë ishte shumë më pozitiv: trajneri e krahasoi Messin me një “Maradona të ri” dhe rekomandoi nënshkrimin, duke vënë në dukje se ai kishte shumë hapësirë për t’u zhvilluar.
Barcelona vendosi t’i besonte talentit argjentinas. Messi u bë golashënuesi më i mirë në historinë e klubit, me 672 gola në 778 ndeshje zyrtare, dhe fitoi 35 trofe me fanellën katalanase.
Raportet e publikuara, më shumë se 25 vjet pas provave, rikthejnë vëmendjen te dilema që shoqëroi vendimin e Barcelonës: dyshimet për fizikun e një 13-vjeçari përballë vlerësimit për potencialin e tij të jashtëzakonshëm.