Nutricionistët sugjerojnë ushqimet që mbështesin imunitetin gjatë sezonit të ftohjeve

Nutricionistët sugjerojnë ushqimet që mbështesin imunitetin gjatë sezonit të ftohjeve

Çfarë të vendosni në pjatë për ta mbështetur imunitetin gjatë sezonit të ftohjeve? Nutricionistët veçojnë frutat e perimet, fibrat, ushqimet e fermentuara, proteinat dhe zinkun. Edhe hidratimi, gjumi dhe aktiviteti fizik kanë rëndësi.

Një dietë e larmishme që përfshin fruta e perime, ushqime të fermentuara, fibra, proteina dhe zink mund ta ndihmojë trupin të mbështesë sistemin imunitar gjatë sezonit të ftohjeve dhe gripit. Këtë këshillë e kanë dhënë nutricionistë amerikanë për Fox News, duke theksuar rëndësinë e ushqyerjes së ekuilibruar.

Dietologia Erin Palinski-Wade, me bazë në New Jersey, shpjegon se shëndeti i zorrëve lidhet ngushtë me imunitetin. Sipas saj, mungesa e fibrave, ushqimeve të fermentuara dhe lëndëve të rëndësishme ushqyese mund të prishë ekuilibrin në zorrë dhe të dobësojë mbrojtjen e organizmit.

Ngjyra dhe fibra në pjatë

Palinski-Wade rekomandon konsumimin e një larmie frutash e perimesh. Specat, kivi, agrumet dhe brokoli janë burime të vitaminës C, ndërsa kosi, kefiri dhe lakra turshi mund të ndihmojnë në mbështetjen e florës së zorrëve.

Fasulet, arrat dhe farat ofrojnë fibra, të cilat kanë rol në shëndetin e zorrëve. Një raport i Kolegjit Amerikan të Kardiologjisë, i publikuar në shtator, vlerëson se vetëm gjashtë për qind e të rriturve në SHBA marrin sasinë e rekomanduar ditore të fibrave.

Proteinat dhe zinku janë gjithashtu të rëndësishëm, pasi trupi i përdor për të ndërtuar qeliza imune. Burime të tyre përfshijnë mishin pa shumë yndyrë, butakët, vezët, farat e kungullit dhe qiqrat.

Lëngje dhe pushim i mjaftueshëm

Dietologia Lauren Manaker, me bazë në Karolinën e Jugut, rekomandon edhe qumështin. Ai përmban vitamina A dhe D, zink e selen, si dhe ndihmon në hidratim; personat që nuk e tolerojnë laktozën mund të zgjedhin qumësht pa laktozë.

Besimi se produktet e qumështit shtojnë mukusin gjatë ftohjes është i pabazuar, sipas Klinikës Mayo. Palinski-Wade sqaron se qumështi, kur përzihet me pështymën, mund të lërë ndjesinë e një shtrese më të trashë në fyt, por kjo nuk do të thotë se trupi po prodhon më shumë mukus.

Uji, supa, çaji jeshil dhe çaji i xhenxhefilit janë ndër lëngjet që Palinski-Wade sugjeron për hidratim. Ajo thekson gjithashtu rëndësinë e gjumit cilësor, menaxhimit të stresit dhe aktivitetit fizik. Suplementet mund të jenë të dobishme për ata që nuk marrin mjaftueshëm lëndë ushqyese nga ushqimi, por këshillohet konsultimi me mjekun dhe kujdesi ndaj dozës.