Operacioni i Papës Leo XIV përfundon me sukses pas zbulimit të kancerit

Operacioni i Papës Leo XIV përfundon me sukses pas zbulimit të kancerit

Papa Leo XIV është diagnostikuar me kancer në mushkëri dhe është operuar në spitalin Gemelli në Romë. Vatikani njoftoi se ndërhyrja përfundoi me sukses dhe se Papa u zgjua normalisht pas saj.

Papa Leo XIV është diagnostikuar me adenokarcinomë të mushkërive dhe i është nënshtruar një operacioni për heqjen e pjesës së poshtme të mushkërisë së djathtë, bëri të ditur Vatikani. Ndërhyrja u krye të martën në spitalin Gemelli në Romë dhe, sipas njoftimit, përfundoi me sukses.

Operacioni zgjati 90 minuta. Pas tij, 71-vjeçari u zgjua normalisht dhe, pas një periudhe të shkurtër vëzhgimi, u kthye në dhomën e tij në katin e dhjetë të spitalit, thuhet në deklaratën e Vatikanit.

Masa në mushkëri u zbulua gjatë kontrolleve rutinë. Vatikani ka thënë se Papa, i cili përgjithësisht konsiderohet në gjendje të mirë shëndetësore, nuk kishte shfaqur simptoma infeksioni apo sëmundjeje.

Lajmi për ndërhyrjen mjekësore bëri që shumë njerëz të mblidheshin jashtë spitalit për ta përshëndetur. Disa prej tyre kishin pritur për orë të tëra, ndërsa turma brohoriste dhe i përcillte urime Papës.

Teksa makina e tij kalonte, Leo XIV iu përgjigj njerëzve duke përshëndetur me dorë dhe duke buzëqeshur përmes dritares së pasme të hapur. Njoftimi i Vatikanit për operacionin dhe gjendjen e tij pas ndërhyrjes u raportua nga BBC-ja.