Opozita në krah të protestuesve, Berisha i bën thirrje Ramës të largohet

Opozita në krah të protestuesve, Berisha i bën thirrje Ramës të largohet

Sali Berisha kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës dhe thotë se PD-ja do t’i mbështesë studentët në protestë. Ai u bëri thirrje qytetarëve t’u bashkohen protestuesve, duke e cilësuar këtë moment si vendimtar.

Sali Berisha kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama dhe deklaroi se Partia Demokratike do të vazhdojë t’i mbështesë studentët që po protestojnë. Kreu i PD-së u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë t’u bashkohen protestuesve, duke e cilësuar këtë moment si vendimtar.

Berisha përgëzoi drejtuesit, anëtarët dhe mbështetësit e partisë për angazhimin në mbështetje të studentëve. Ai veçoi deputetët e PD-së, të cilët, sipas tij, kanë qenë pranë protestuesve në shesh dhe në komisariate.

“Ne studentët nuk i lëshojmë, ne do t’i mbështesim ata me të gjitha format dhe mundësitë”, tha Berisha. Ai shtoi se studentët nuk do të përballen vetëm me kryeministrin, por edhe me opozitën dhe qytetarët që, sipas tij, do t’i mbështesin.

Kreu i PD-së vlerësoi gjithashtu angazhimin e forumit rinor të universiteteve, të cilin e përshkroi si efikas dhe me kontribut të rëndësishëm në protestë.

Berisha: Protesta studentore është “kupa e mbushur”

Duke folur për reagimin e Ramës ndaj protestës, Berisha pretendoi se kryeministri po përpiqet ta paraqesë atë si të ngjashme me protestat e mëparshme. Ai kundërshtoi këtë vlerësim dhe tha se protesta studentore dallon nga ato që e kanë paraprirë.

“Shqiptarët kanë katër muaj që protestojnë. Por protesta studentore është protesta e kupës së mbushur”, u shpreh Berisha. Ai i përshkroi studentët si të vendosur dhe të guximshëm, ndërsa kërkoi që PD-ja të bëjë gjithçka për mbrojtjen dhe mbështetjen e tyre.

Berisha përsëriti thirrjen për dorëheqjen e Ramës dhe për largimin e qeverisë së tij. Ai e quajti situatën një “orë vendimtare” dhe u kërkoi qytetarëve të angazhohen në mbështetje të studentëve.