Pamjet nga Kragujevci nxisin reagime në Kosovë për mosdorëzimin e Radoiçiqit

Prania e Milan Radoiçiqit në tubimin e SNS-së në Kragujevc ka nxitur reagime nga Qeveria dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të Kosovës. Ata kërkojnë nga bashkësia ndërkombëtare trysni ndaj Serbisë dhe dorëzimin e tij për t’u përballur me drejtësinë për sulmin në Banjskë.
Shfaqja e Milan Radoiçiqit në një tubim zgjedhor të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në Kragujevc ka nxitur reagime nga përfaqësues të institucioneve të Kosovës. Qeveria e Kosovës e cilësoi praninë e tij si dëshmi tjetër të përfshirjes së Serbisë në sulmin e armatosur në Banjskë, ku më 24 shtator 2023 u vra një polic i Kosovës.
Në përgjigjen dhënë Radios Evropa e Lirë, Qeveria tha se pamjet e publikuara nga mediat serbe dëshmojnë, sipas saj, se sulmi ishte “planifikuar, financuar dhe organizuar nga shteti i Serbisë”. Radoiçiqi, ish-nënkryetar i Listës Serbe, e ka pranuar përgjegjësinë për organizimin e sulmit dhe kërkohet nga autoritetet e Kosovës.
Pamjet e transmetuara nga televizioni serb N1 e tregojnë atë më 9 tetor në tubimin e SNS-së, pranë Danilo Vuçiqit, djalit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Qeveria e Kosovës tha se kjo paraqitje duhet të shërbejë si alarm për Bashkimin Evropian dhe vendet e tjera perëndimore, duke argumentuar se Serbia nuk po e dorëzon Radoiçiqin për t’u përballur me drejtësinë në Kosovë.
Në reagimin e saj, Qeveria ngriti shqetësimin se Radoiçiqi jo vetëm që nuk po i dorëzohet autoriteteve kosovare, por, sipas saj, shoqëron dhe siguron djalin e presidentit serb. Radoiçiqi është gjithashtu nën sanksione të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe për lidhje me krimin e organizuar ndërkombëtar.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, kërkoi reagim të qartë nga bashkësia ndërkombëtare dhe trysni konkrete ndaj Serbisë. Ajo tha se prania e Radoiçiqit në tubimin e partisë në pushtet ngre pikëpyetje për përgjegjësinë politike të autoriteteve serbe dhe mbrojtjen që, sipas saj, ai gëzon në qarqet e pushtetit.
Haxhiu kërkoi që dorëzimi i Radoiçiqit dhe i personave të tjerë të kërkuar për sulmin në Banjskë të shoqërohet me masa konkrete dhe pasoja në rast të mosbashkëpunimit të Serbisë.
Edhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, reagoi për paraqitjen e tij, duke e lidhur atë me deklaratën e zëvendëskryeministrit serb Ivica Daçiq se “herët a vonë flamuri serb do të valojë në Prizren”. Konjufca tha se bashkësia ndërkombëtare duhet t’i dënojë këto veprime dhe të kërkojë përgjegjësi, duke theksuar se sovraniteti i Kosovës dhe drejtësia për sulmin në Banjskë nuk janë të negociueshme.