Parisi kërkon respektimin e pavarësisë së Dhomave të Specializuara

Franca shpreh shqetësim për ndryshimet e miratuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Ambasada kërkon respektimin e mandatit dhe pavarësisë së gjykatës, ndërsa paralajmërime për këtë çështje ka bërë edhe komisionerja evropiane Marta Kos.
Franca ka shprehur shqetësim të thellë për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, të miratuara nga Kuvendi. Ambasada franceze në Prishtinë tha se mandati dhe pavarësia e këtij institucioni gjyqësor duhet të respektohen plotësisht.
Në përgjigjen dërguar Telegrafit, ambasada rikujtoi se Dhomat e Specializuara u themeluan përmes vendimeve të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015 dhe janë pjesë e kornizës ligjore e kushtetuese të vendit.
Sipas qëndrimit të Francës, respektimi i mandatit dhe pavarësisë gjyqësore duhet të jetë në përputhje me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian. Ambasada shprehu gjithashtu mbështetjen për parimin e përgjegjësisë penale individuale dhe të drejtën e viktimave e familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet për drejtësi.
Franca ritheksoi edhe mbështetjen e saj të vazhdueshme për luftën kundër pandëshkueshmërisë. Qëndrimi vjen pas miratimit të ndryshimeve ligjore në Kuvendin e Kosovës.
Edhe BE-ja ka kritikuar ndryshimet
Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, i ka cilësuar ndryshimet si të papranueshme dhe në kundërshtim me detyrimet themelore të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian.
Në një deklaratë para takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg, Kos tha se ndryshimi i rregullave gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore bie ndesh me standardet ndërkombëtare të sundimit të ligjit.
Ajo paralajmëroi se vendet që bëjnë hapa prapa në përmbushjen e standardeve evropiane mund të rrezikojnë përparimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.