Pas fushatës diplomatike, 27-vjeçari shmang ekzekutimin në Arabinë Saudite

Pas fushatës diplomatike, 27-vjeçari shmang ekzekutimin në Arabinë Saudite

Gjykata e Lartë saudite ka rrëzuar dënimin me vdekje ndaj një 27-vjeçari nga Sri Lanka, të dënuar për një koment në Facebook. Rasti u shoqërua me përpjekje diplomatike dhe reagime nga organizatat e të drejtave të njeriut.

Gjykata e Lartë e Arabisë Saudite ka rrëzuar dënimin me vdekje ndaj Anojan Sivarasës, një 27-vjeçari nga Sri Lanka, i dënuar për blasfemi pas një komenti në Facebook. Vendimi u bë publik nga zëvendësministri i Jashtëm i Sri Lankës, Arun Hemachandra, i cili e vlerësoi bashkëpunimin me autoritetet saudite dhe angazhimin diplomatik për rishikimin e çështjes.

Sivarasa ishte dënuar me vdekje nga një gjykatë apeli saudite në shtator. Ai ishte shpallur fajtor për fyerje ndaj Islamit dhe Profetit Muhamed, ndërsa çështja nxiti reagime në Sri Lanka dhe shqetësime nga organizatat e të drejtave të njeriut.

Sipas të dhënave të publikuara për rastin, përplasja nisi në qershor gjatë një debati fetar në rrjetet sociale. Sivarasa dyshohet se shkroi në gjuhën tamile një koment fyes për Profetin Muhamed, si përgjigje ndaj një postimi që fyente një hyjni hindu.

I riu e fshiu komentin dhe kërkoi falje, por u arrestua në korrik. Pas dënimit me vdekje në shtator, në Sri Lanka u shtuan reagimet dhe u zhvilluan përpjekje diplomatike për të shmangur ekzekutimin.

Hemachandra falënderoi autoritetet saudite dhe tha se anulimi erdhi pas përpjekjeve të vazhdueshme diplomatike dhe ligjore. Ai përmendi angazhimin e ambasadorit të Sri Lankës në Arabinë Saudite, zyrtarëve të ministrive përgjegjëse për marrëdhëniet me jashtë dhe punëtorët migrantë, si dhe të ekipeve ligjore të të dy vendeve.

Deputeti nga Sri Lanka, Faizer Mustafa, i përfshirë në negociatat ligjore me autoritetet në Riad, konfirmoi për shërbimin sinhalez të BBC-së se dënimi me vdekje ishte anuluar. Sipas tij, vendimi i Gjykatës së Lartë ishte ende në proces shqyrtimi.

Rasti ka tërhequr vëmendjen e Human Rights Watch, e cila ka kritikuar përdorimin në Arabinë Saudite të dënimeve të rënda për vepra që lidhen me shprehjen e mendimit. Organizata ka kërkuar që autoritetet saudite t’i japin fund ligjeve që, sipas saj, mundësojnë ndëshkime të tepruara për deklarata dhe postime në internet.