Pas protestës në kryeqytet, katër policë dhe dy protestues mbeten të shtruar

Pas protestës së djeshme në Tiranë, 89 persona morën kujdes shëndetësor. Katër policë dhe dy protestues mbeten të shtruar, ndërsa tre persona të tjerë pritet t’i nënshtrohen ndërhyrjeve mjekësore.
Tetëdhjetë e nëntë persona morën kujdes shëndetësor pas protestës së djeshme në Tiranë. Mes tyre ishin 61 punonjës policie dhe 18 protestues të trajtuar në Spitalin Universitar të Traumës, si dhe 10 pacientë të paraqitur në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT).
Sipas të dhënave të bëra publike nga institucionet shëndetësore, në Spitalin Universitar të Traumës vazhdojnë të jenë të shtruar katër policë dhe dy protestues. Ata do të qëndrojnë nën kujdesin e ekipit mjekësor.
Personat e tjerë që u paraqitën në këtë spital morën trajtimin e nevojshëm dhe u larguan me rekomandimin e mjekëve, raportojnë mediat në Shqipëri.
Trajtimi në QSUT
Në QSUT, 10 pacientët u trajtuan në shërbimet e Urgjencës Polivalente, Djegie-Plastikës dhe Okulistikës. Pas vlerësimit dhe trajtimit, të gjithë u larguan nga spitali me rekomandimin e mjekëve.
Aktualisht, në QSUT nuk ka pacientë që po marrin ende kujdes shëndetësor për shkak të protestës. Ndërsa në Spitalin Universitar të Traumës, një protestues dhe dy efektivë policie pritet t’i nënshtrohen ndërhyrjeve mjekësore.