Pas tragjedisë në Pozheran, Haliti kërkon zbardhjen e rrethanave

Pas tragjedisë në Pozheran, Haliti kërkon zbardhjen e rrethanave

Dy anëtarë të familjes Bogujevci nga Pozherani kanë humbur jetën, ndërsa një person është plagosur. Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, shprehu ngushëllime dhe kërkoi që organet kompetente të zbardhin rrethanat e ngjarjes.

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka shprehur ngushëllime për familjen Bogujevci nga Pozherani, pas vdekjes së dy anëtarëve të saj dhe plagosjes së një personi tjetër.

Në një reagim publik, Haliti tha se është i pikëlluar nga ngjarja dhe u përcolli ngushëllimet familjarëve të viktimave, të afërmve dhe të gjithë atyre që po përballen me humbjen. Ai i uroi personit të plagosur shërim të shpejtë dhe të plotë.

Kreu i Vitisë e cilësoi rastin si të rëndë dhe tha se ngjarja ka tronditur qytetarët. Ai u bëri thirrje organeve kompetente të veprojnë me urgjencë për të zbardhur rrethanat dhe për t’i vënë para drejtësisë përgjegjësit.

Haliti theksoi se dhuna dhe humbja e jetëve njerëzore janë të papranueshme. Sipas tij, siguria e qytetarëve dhe mbrojtja e jetës duhet të jenë përparësi e institucioneve dhe e shoqërisë.

Në përfundim të reagimit, kryetari i Vitisë shprehu solidaritet me familjen Bogujevci dhe përsëriti ngushëllimet për humbjen e dy familjarëve.