Përfaqësuesit e televizioneve: Rregullat e autorit kanë nevojë për riformatim

Transmetuesit televizivë po kërkojnë një ligj të ri për të drejtën e autorit, duke argumentuar se ndryshimet e propozuara janë të gjera. Në dëgjesën parlamentare u debatua edhe për lirinë e autorëve në zgjedhjen e mënyrës së administrimit të të drejtave dhe për rregullat financiare.
Transmetuesit televizivë kërkojnë hartimin e një ligji të ri për të drejtën e autorit, në vend të ndryshimeve të propozuara në ligjin aktual. Kërkesa u paraqit gjatë dëgjesës së fundit me grupet e interesit në Komisionin e Kulturës, përpara se projektligji të kalojë për shqyrtim dhe miratim.
Në emër të transmetuesve, përfaqësuesi i DigitAlb, Andi Cenko, tha se ndërhyrjet e parashikuara janë aq të gjera sa, sipas tij, kuadri ligjor duhet të rishkruhet në formë të re. Ai përmendi ndryshime në 68 nene dhe 36 dispozita të shtuara, duke argumentuar se kjo përbën një riformatim të rëndësishëm dhe jo thjesht korrigjime të ligjit ekzistues.
Cenko pranoi se legjislacioni duhet të përmbushë detyrimet që lidhen me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Megjithatë, kërkoi të bëhet dallim mes rregullave të detyrueshme dhe atyre ku vendet kanë hapësirë zgjedhjeje.
Një nga çështjet kryesore të ngritura ishte administrimi kolektiv i të drejtave. Përfaqësuesi i DigitAlb kërkoi që ai të jetë i detyrueshëm vetëm kur e kërkojnë dispozitat përkatëse dhe që mbajtësit e të drejtave të mund të zgjedhin mes administrimit kolektiv dhe atij individual. Ai kërkoi gjithashtu rishikimin e rregullave që, sipas tij, kufizojnë mundësinë e autorëve për t’u tërhequr nga administrimi kolektiv.
Qëndrime të ndryshme për administrimin kolektiv
Brunilda Ajazi, nga Drejtoria e të Drejtës së Autorit, mbrojti projektligjin. Ajo tha se për disa kategori përdorimesh autori nuk mund të largohet nga administrimi kolektiv, pasi kjo mund të cenojë të drejtat e autorëve të tjerë.
Edhe Shoqata e Transmetuesve Radiotelevizivë Kabllorë Valorë kërkoi ndryshime në mënyrën e përcaktimit të rregullave financiare. Përfaqësuesi Mustafa Gjinaj tha se ato duhet të përcaktohen qartë në ligj dhe të mos i lihen Këshillit Kombëtar të së Drejtës së Autorit, për të cilin shprehu kritika.
Seanca shënoi përfundimin e dëgjesave me grupet e interesit. Hapi i radhës është shqyrtimi i projektligjit nga Komisioni i Kulturës.