Përplasja me Alban Krasniqin, Sami Lushtaku kujton dënimin e vitit 1997

Sami Lushtaku reagoi në Facebook pas deklaratave të Alban Krasniqit për të dhe Daut Haradinajn. Në postimin e tij, ai kujtoi dënimin me 20 vjet burgim në mungesë nga Serbia në vitin 1997 dhe tha se nuk arriti ta gjunjëzonte.
Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, i është përgjigjur Alban Krasniqit përmes një reagimi në Facebook, pas deklaratave të këtij të fundit për Daut Haradinajn dhe Lushtakun.
Në postimin e tij, Lushtaku kujtoi se më 11 korrik 1997 Serbia e kishte dënuar me 20 vjet burgim në mungesë, nën akuzat për terrorizëm. Ai tha se ky dënim nuk arriti ta gjunjëzonte.
“Sot, fatkeqësisht, disa shqiptarë po flasin me të njëjtën gjuhë që dikur fliste Serbia”, shkroi Lushtaku, duke e lidhur reagimin e tij me deklaratat e fundit të Krasniqit.
Në fund të postimit, kryetari i Skenderajt iu drejtua atyre që, sipas tij, mendojnë se mund ta mposhtin. “Kush mendon se mundet të më gjunjëzojë, le ta provojë!”, shkroi ai.
Krasniqi, bashkëshorti i Albulena Haxhiut, kishte akuzuar Daut Haradinajn për mercenarizëm dhe kishte deklaruar se ai dhe Lushtaku “kanë me puthë tokën kur të arrestohen”.