Pezullohet ndërtimi i Muzeut Hebraik deri në shqyrtimin e padisë

Punimet për Muzeun Hebraik në Vlorë janë pezulluar me vendim gjykate, pas kërkesës së kundërshtarëve të projektit. Vendimi mbetet në fuqi deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes. Debati lidhet me ndërhyrjen pranë një monumenti historik.
Punimet për ndërtimin e Muzeut Hebraik në Vlorë janë pezulluar me vendim të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Lushnjë. Gjykata pranoi kërkesën për sigurimin e padisë të paraqitur nga kundërshtarët e projektit.
Lajmin e bënë të ditur përfaqësuesit e nismës për mbrojtjen e monumentit pranë ish-Klubit Patriotik “Labëria”. Sipas tyre, vendimi ka efekt të menjëhershëm dhe do të jetë në fuqi deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes.
Përfaqësuesit e nismës e cilësojnë vendimin si hap të rëndësishëm në procesin ligjor që, sipas tyre, synon mbrojtjen e monumentit dhe zbatimin e legjislacionit për trashëgiminë kulturore.
Kundërshtimi lidhet me ndërhyrjen pranë monumentit
Ata kanë theksuar se kundërshtimi nuk ka të bëjë me historinë e komunitetit hebre në Vlorë apo me përpjekjet për ta nderuar atë, por me mënyrën se si po zhvillohet ndërhyrja pranë një objekti me vlera historike për qytetin.
Nisma ka përkujtuar gjithashtu rëndësinë e historisë së hebrenjve të Vlorës dhe të familjeve vlonjate që i strehuan e i mbrojtën gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sipas përfaqësuesve, vlerësimi i kësaj trashëgimie nuk duhet të bëhet në dëm të monumenteve të tjera historike.
Përfaqësuesit falënderuan 1.034 qytetarët që nënshkruan peticionin kundër ndërhyrjes, si dhe personat që iu drejtuan gjykatës për të kërkuar ndaljen e punimeve. Ata thanë se beteja ligjore do të vijojë, me synimin për të siguruar transparencë, ligjshmëri dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në qytet.
Projekti ka nxitur debat publik gjatë muajve të fundit dhe është kundërshtuar nga qindra qytetarë. Krahas peticionit, janë mbajtur edhe protesta ku është kërkuar ruajtja e monumentit pranë ish-Klubit Patriotik “Labëria” dhe rishikimi i projektit.