Policia hyn me forcë në banesë dhe arreston të dyshuarin për kanosje

Policia hyn me forcë në banesë dhe arreston të dyshuarin për kanosje

Operacioni policor në Fushë-Kosovë përfundoi me arrestimin e dy personave. Sipas Policisë, njëri dyshohet se kanosi një qytetar me armë, ndërsa tjetri pengoi zyrtarët gjatë ndërhyrjes.

Një person i dyshuar për kanosje me armë dhe një tjetër që dyshohet se pengoi zyrtarët policorë janë arrestuar pas një operacioni në Fushë-Kosovë. Sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari kryesor nuk iu bind urdhrave për ndalim dhe u mbyll në banesën e tij.

Në ndërhyrje morën pjesë njësi speciale, patrulluese dhe të reagimit të shpejtë. Policia tha se, pas identifikimit të të dyshuarit, siguroi perimetrin rreth zonës së banimit dhe zhvilloi komunikim me të, duke i kërkuar të dorëzohej në mënyrë të sigurt.

Sipas njoftimit, personi vazhdoi të rezistonte dhe nuk iu përgjigj thirrjeve të policisë. Zyrtarët e njësive speciale intervenuese dhe operative, të rendit publik dhe njësisë K9 e mbajtën situatën nën vëzhgim dhe kontroll për një periudhë të gjatë.

Pasi thirrjet për dorëzim nuk dhanë rezultat, policia hapi me forcë derën e banesës dhe hyri brenda. Aty u arrestua personi që dyshohet se kishte kanosur qytetarin, si dhe një person tjetër, i cili, sipas Policisë, pengoi zyrtarët gjatë ndërhyrjes.

Në operacion bashkëpunuan edhe institucione të tjera, përfshirë zjarrfikësit dhe ekipet e ambulancës. Ekzaminimi i vendit të ngjarjes po kryhet nga njësitë përkatëse policore.

Policia falënderoi qytetarët për bashkëpunimin dhe përkrahjen pas përfundimit të operacionit. Veprimet e mëtejshme, sipas njoftimit, po zhvillohen në koordinim me organet e drejtësisë.