Protestat studentore vazhdojnë, policia u bën thirrje prindërve të kujdesen për fëmijët

Protestat studentore në Shqipëri kanë hyrë në ditën e tretë, ndërsa Policia e Shtetit ka ngritur shqetësimin për të miturit në tubime. Sipas policisë, disa prej tyre janë ekspozuar ndaj përplasjeve dhe mjeteve të rrezikshme; prindërve u është kërkuar të tregojnë kujdes të shtuar.
Protestat studentore në Shqipëri kanë hyrë në ditën e tretë, ndërsa nxënës dhe studentë kanë bojkotuar mësimin në gjimnaze e fakultete në Tiranë dhe qytete të tjera. Në kryeqytet, grumbullimi i protestuesve nisi para Parlamentit që në orët e para të së enjtes.
Pas përplasjeve, zjarreve dhe dëmeve materiale të së mërkurës, Policia e Shtetit ka shprehur shqetësim për pjesëmarrjen e të miturve në tubime. Sipas policisë, në disa raste fëmijët janë vendosur në vijën e parë të përplasjeve dhe janë ekspozuar ndaj sendeve të hedhura, mjeteve piroteknike dhe gazit lotsjellës.
Përmes një deklarate, policia u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë të tregojnë kujdes të shtuar dhe të sigurohen që fëmijët të mos ndodhen në vende ku rrezikohet jeta apo shëndeti i tyre.
Institucioni ka theksuar se e drejta për protestë nuk justifikon dhunën dhe as ekspozimin e fëmijëve ndaj rrezikut. Sipas deklaratës, rastet e dyshuara të nxitjes, organizimit ose shfrytëzimit të të miturve për veprime të kundërligjshme do t’u përcillen institucioneve kompetente.
“Përdorimi i fëmijëve si mburojë për akte dhune nuk është ushtrim i së drejtës për protestë”, thuhet në reagimin e policisë, e cila e cilësoi një veprim të tillë të papranueshëm dhe cenues të sigurisë e të drejtave të fëmijëve.
Thirrje për distancim nga dhuna
Policia u ka bërë thirrje protestuesve të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm. Ajo kërkon që të ndalen sulmet ndaj punonjësve të policisë, institucioneve dhe pronës publike e private.
Zhvillimet e së mërkurës, me përplasje dhe dëme, kanë rikthyer vëmendjen te dallimi mes protestës qytetare dhe akteve të dhunës e vandalizmit. Policia ka vënë në dukje rrezikun që këto veprime paraqesin për sigurinë publike dhe pronën.
Pas protestës së së mërkurës, kryeministri Edi Rama akuzoi opozitën se po përpiqet ta pengojë Shqipërinë në rrugën drejt Evropës. Ai tha se vendi nuk do të kthehet pas.