Protestuesit mblidhen te gjimnazet në Lezhë dhe bëjnë thirrje për bojkot

Protestë e të rinjve në Lezhë, ku u kërkua që gjimnazistët të bojkotojnë mësimin dhe t’u bashkohen. Policia ishte në terren për të monitoruar situatën.
Dhjetëra të rinj dhe gjimnazistë u mblodhën të premten në Lezhë për të protestuar. Kjo ishte protesta e parë e të rinjve në qytet, në kohën kur në kryeqytet po mbahej dita e katërt e protestës së studentëve.
Protestuesit shkuan në oborret e gjimnazeve “Hydajet Lezha” dhe “Kolin Gjoka”, ku u bënë thirrje nxënësve të bojkotojnë mësimin dhe t’u bashkohen në protestë.
Në qendër të qytetit, të rinjtë ndezën zjarr dhe hodhën kapsolla, sipas pamjeve të publikuara nga vendi i ngjarjes.
Policia doli në terren dhe monitoroi situatën, në gatishmëri për të ndërhyrë në rast përshkallëzimi. Një ditë më parë, protesta dhe situata të ngjashme ishin regjistruar edhe në disa qytete të vendit.