Pusetat e bllokuara rëndojnë situatën pas shiut të fortë në Vlorë

Pusetat e bllokuara rëndojnë situatën pas shiut të fortë në Vlorë

Reshjet e forta kanë lënë ujë në disa rrugë të Vlorës dhe kanë vështirësuar qarkullimin, veçanërisht në lagjen Pavarësia. Banorët kërkojnë pastrimin e pusetave dhe kanaleve për të përmirësuar kullimin.

Reshjet e dendura që ranë brenda pak minutash kanë sjellë grumbullim uji në disa pjesë të Vlorës, duke vështirësuar lëvizjen në rrugët e qytetit. Situata është veçanërisht problematike në lagjen Pavarësia.

Në disa segmente, uji ka mbetur në rrugë dhe qarkullimi vijon të jetë i penguar. Banorët e zonës thonë se pusetat janë të bllokuara nga gurë dhe materiale të tjera inerte, çka pengon largimin e ujërave.

Sipas banorëve, uji qëndron për një kohë të gjatë në rrugë dhe pranë banesave. Ata kanë shprehur shqetësimin se situata mund të përkeqësohet nëse reshjet vazhdojnë me intensitet të lartë ose zgjasin më shumë.

Banorët kërkojnë pastrimin e kanaleve dhe përmirësimin e sistemit të kullimit. Ata druhen se, në rast të reshjeve të vazhdueshme, mund të vështirësohet edhe hyrja në banesat e tyre.