Qeveria planifikon rregullimin e Kalasë së Shkupit dhe vendosjen e biletave

Kalaja e Shkupit mund të hapet me pagesë pasi të përfundojë rregullimi i saj. Punimet pritet të nisin këtë vit, ndërsa projekti synon ta kthejë lokalitetin historik në një atraksion më të rëndësishëm turistik.
Vizita në Kalanë e Shkupit pritet të bëhet me pagesë pasi lokaliteti të rregullohet dhe të hapet plotësisht për publikun, ka njoftuar kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Punimet për rregullimin e kompleksit historik pritet të nisin këtë vit. Nëse realizohen sipas planit, Kalaja do të ketë pamje të re gjatë vitit të ardhshëm.
“Është normale që hyrja të paguhet. Jo tani, por kur të hapet, kur të rregullohet, ashtu siç ndodh kudo në botë”, deklaroi Mickoski.
Kryeministri tha se gjendja aktuale dhe ndërhyrjet e deritanishme në mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra nuk e shfrytëzojnë plotësisht potencialin e Kalasë, të cilën e cilësoi ndër lokalitetet më të rëndësishme historike të Shkupit.
Sipas tij, Qeveria do të ofrojë mbështetje financiare dhe logjistike për projektin, me synimin që Kalaja të kthehet në një atraksion më të rëndësishëm turistik.
Plani parashikon gjithashtu përfshirjen e lokalitetit në programin “Shkupi – Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028”. Vendosja e tarifës, sipas paralajmërimit, do të bëhet pasi të përfundojnë punimet dhe Kalaja të vihet në funksion.