QKUK-ja dhe katër spitale rajonale përfitojnë nga financimi 41-milionësh

Një financim prej 41 milionë eurosh synon të sjellë pajisje mjekësore moderne dhe përmirësime infrastrukturore në QKUK dhe katër spitale rajonale. Marrëveshja e Qeverisë së Kosovës me BEI-n dhe CEB-in parashikon që të dy bankat ta financojnë projektin në pjesë të barabarta.
Qeveria e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje financimi prej 41 milionë eurosh me Bankën Evropiane të Investimeve (BEI) dhe Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB), për blerjen e pajisjeve mjekësore dhe përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore. Shuma do të financohet në pjesë të barabarta nga të dy institucionet.
Investimi është planifikuar për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë dhe spitalet rajonale në Prizren, Pejë, Gjakovë e Gjilan. Projekti synon pajisjen e institucioneve me teknologji mjekësore moderne dhe përmirësimin e infrastrukturës që mbështet shërbimet shëndetësore.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se marrëveshja do të mundësojë investime që synojnë përmirësimin e kushteve si për pacientët, ashtu edhe për profesionistët shëndetësorë. Ai konfirmoi se financimi ndahet përgjysmë mes BEI-t dhe CEB-it.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, e lidhi projektin me prioritetet e Strategjisë Sektoriale të Shëndetësisë 2025–2030. Sipas tij, dokumenti parasheh riorganizimin e institucioneve shëndetësore dhe modernizimin e infrastrukturës e të teknologjisë mjekësore.
Vitia tha se strategjia i kushton rëndësi të veçantë përmirësimit të objekteve shëndetësore të nivelit sekondar dhe terciar, si dhe pajisjes së tyre me mjete moderne për një periudhë afatgjatë.
Nënkryetari i BEI-t, Robert de Groot, vlerësoi se financimi do t’u ndihmojë pacientëve dhe personelit shëndetësor në Kosovë të kenë qasje në pajisje dhe mjedise moderne. Ai tha se investimet pritet të kontribuojnë në diagnostikim më të mirë, trajtim më efektiv dhe kujdes të përmirësuar për pacientët.
Edhe zëvendësguvernatori për Strategjinë e Zhvillimit Social në CEB, Johannes Böhmer, theksoi rëndësinë e sistemit shëndetësor si shërbim bazë që institucionet publike duhet t’ua sigurojnë qytetarëve.