Rashiti: Shiroka-Pula mund të ulë polarizimin dhe të nxisë dialogun politik

A mund të ndihmojë presidentja e re në zbutjen e ndarjeve politike? Naim Rashiti thotë se autoriteti i Justina Shiroka-Pulës mund të nxisë dialog dhe bashkëpunim mes partive, ndërsa ruajtjen e balancave institucionale e cilëson ndër detyrat kryesore të saj.
Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika, vlerëson se presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka mundësi të ndikojë në uljen e polarizimit dhe në krijimin e një kulture më bashkëpunuese mes subjekteve politike dhe institucioneve.
Duke folur në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu, Rashiti tha se kredibiliteti politik, institucional dhe intelektual i presidentes mund të krijojë kushte për marrëdhënie më të mira ndërmjet partive dhe drejtuesve institucionalë.
“Pranë presidentes së re është shumë e vështirë të jesh polarizues. Presidentja e re do të jetë një lloj profesoreshe për aktorët politikë”, u shpreh ai.
Thirrje për bashkëpunim institucional
Rashiti beson se autoriteti i presidentes mund të ndihmojë në ndërtimin e një raporti të ri politik, duke tejkaluar konfliktet dhe praktikat që, sipas tij, kanë cenuar sistemin kushtetues. Ai e cilësoi marrëveshjen politike që mundësoi zgjedhjen e saj si hap pozitiv, por tha se bashkëpunimi duhet të shtrihet edhe në çështje të tjera institucionale.
Ndër përgjegjësitë kryesore të presidentes, Rashiti përmendi ruajtjen e rendit kushtetues dhe të balancës ndërmjet pushteteve. Ai veçoi edhe rëndësinë e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar që procesi të zhvillohet në përputhje me kriteret ligjore dhe kushtetuese.
Sipas tij, presidentja duhet të qëndrojë mbi garën partiake dhe të krijojë hapësirë për komunikim me të gjitha subjektet parlamentare. Rashiti bëri dallim mes rolit të kryeministrit, i cili si përfaqësues i një subjekti politik mund të jetë pjesë e përplasjeve me opozitën, dhe atij të presidentes.
Ai kërkoi që presidentja të ndërtojë marrëdhënie edhe me komunitetet, veteranët, organizatat joqeveritare dhe grupe të tjera shoqërore, në përputhje me rolin e saj unifikues. Megjithatë, Rashiti theksoi se ndikimi i pritshëm do të varet nga mënyra se si Shiroka-Pula e ushtron përgjegjësinë gjatë mandatit.