Reagimi i Yll Limanit pas protestave në Tiranë: Studentët duhen marrë seriozisht

Yll Limani ka shprehur mbështetje për studentët që protestojnë në Tiranë dhe ka kritikuar dhunën e raportuar ndaj tyre. Këngëtari u bëri thirrje institucioneve t’i dëgjojnë të rinjtë, ndërsa Policisë i kujtoi se uniforma nënkupton përgjegjësi.
Këngëtari Yll Limani ka reaguar ndaj protestave studentore në Tiranë, duke shprehur shqetësim për pamjet e dhunës së raportuar ndaj protestuesve dhe duke kërkuar që institucionet t’u kushtojnë vëmendje kërkesave të tyre.
Në disa postime në Instagram, artisti ka kritikuar veprimet e forcave të rendit ndaj të rinjve. “Është tmerr me i pa pamjet prej Tiranës. Të rinj që sulmohen prej atyre që duhet me i mbrojt”, ka shkruar Limani.
Ai e ka shprehur hapur mbështetjen për studentët, duke shkruar: “Unë jom me studentët. Shkurt edhe shqip”. Sipas tij, protestat janë shenjë e pakënaqësive që kërkojnë vëmendje dhe përgjigje konkrete.
Limani u ka bërë thirrje institucioneve të kuptojnë arsyet pse të rinjtë kanë dalë në rrugë, shqetësimet që kanë dhe ndryshimet që kërkojnë. “Na duhet me i ngu studentët, se qartazi ka pakënaqësi. Me kuptu pse kanë dal, çka po i mundon e çka po kërkojnë”, ka thënë ai.
Këngëtari ka theksuar se të rinjtë nuk duhet të trajtohen vetëm si e ardhmja e vendit, por si qytetarë që meritojnë të dëgjohen dhe të merren seriozisht edhe sot. Ai ka kërkuar që atyre t’u jepet arsye për të besuar se mund ta ndërtojnë jetën në vendin e tyre.
Në fund të reagimit, Limani iu drejtua edhe Policisë, duke rikujtuar përgjegjësinë që përfaqëson uniforma. “Qytetari duhet me u ni ma i sigurt kur e sheh policinë”, ka shkruar ai, duke shtuar se përballë forcave të rendit janë të rinj me ëndrra e shqetësime dhe familje që presin kthimin e tyre në shtëpi.
Reagimi vjen në kohën kur protestat studentore dhe përplasjet e raportuara në Tiranë kanë nxitur diskutime për trajtimin e protestuesve dhe përgjegjësinë e institucioneve për të garantuar ushtrimin paqësor të së drejtës së protestës. Limani ka vënë theksin te dialogu, respektimi i të drejtave dhe dëgjimi i kërkesave të studentëve.