Rehabilitimi i skarpatave synon të ulë rrezikun e rrëshqitjeve në autostradë

Rehabilitimi i skarpatave synon të ulë rrezikun e rrëshqitjeve në autostradë

Punimet në skarpatet e autostradës “Ibrahim Rugova” po vazhdojnë në disa segmente. Ministria po kryen gjithashtu riprojektim dhe vlerësime teknike për të përcaktuar ndërhyrjet e nevojshme në pjesët e tjera.

Punimet për rehabilitimin dhe sanimin e skarpatave përgjatë autostradës “Ibrahim Rugova” po vazhdojnë, ka njoftuar Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit. Ndërhyrjet synojnë të përmirësojnë sigurinë rrugore dhe të parandalojnë rrëshqitjet e dheut.

Sipas ministrisë, në disa segmente të autostradës tashmë po zhvillohen punime rehabilituese. Për pjesët e tjera, ndërkaq, po bëhet riprojektimi i ndërhyrjeve të nevojshme.

Pas përfundimit të riprojektimit, pritet të vijojnë procedurat për kontraktimin e punimeve të sanimit. Paralelisht, po kryhen analiza dhe vlerësime teknike për të identifikuar zonat ku nevojiten ndërhyrje shtesë.

Ministria thotë se qëllimi i punimeve është stabilizimi i skarpatave dhe krijimi i kushteve më të sigurta për qarkullimin në autostradë. Sipas saj, siguria e qytetarëve mbetet prioritet gjatë realizimit të këtyre ndërhyrjeve.