Reperi Stresi reagon ashpër ndaj ndërhyrjes së policisë në protestë

Reperi Stresi reagon ashpër ndaj ndërhyrjes së policisë në protestë

Stresi ka reaguar në Instagram pas pamjeve nga protesta në Tiranë, duke kritikuar veprimet e policisë. Reperi publikoi fotografi dhe video nga përplasjet, si dhe shoqëroi postimet me komente të ashpra e ironike.

Reperi shqiptar Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi, ka reaguar në rrjetet sociale pas pamjeve të shpërndara nga protesta në Tiranë. Në disa postime në Instagram, ai ka shprehur indinjatën për mënyrën se si, sipas tij, policia po sillej me qytetarët.

Stresi ka publikuar fotografi dhe video që paraqesin përplasje mes protestuesve dhe policëve, duke kritikuar veprimet e efektivëve. Në njërin prej postimeve, ai ka ndarë një fotografi të një personi të shoqëruar nga disa policë.

Fotografisë reperi i ka bashkëngjitur mbishkrimin: “I vetëm përballë 6 policëve. Polici maniakësh të pa shkolluar”.

Në një tjetër postim, Stresi ka publikuar imazhin e disa shisheve dhe objekteve të tjera. Ai e ka shoqëruar fotografinë me një koment ironik, duke shkruar: “Vetëm me këto i zmbrapsni policët e makinat e çdo gjë, ju garantoj 100 për qind”.

Pamjet nga protesta janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale dhe kanë nxitur diskutime për ndërhyrjen e policisë dhe trajtimin e protestuesve. Edhe Stresi iu bashkua personazheve publike që kanë shprehur pakënaqësi për atë që shihet në videot dhe fotografitë nga Tirana.