Reshjet e rrëmbyeshme ndalin duelin mes Ümraniyesporit dhe Bolusporit

Reshjet e dendura përmbytën fushën dhe detyruan gjyqtarin të ndalte duelin mes Ümraniyesporit dhe Bolusporit. Loja u ndërpre në minutën e 58-të, kur Boluspori po fitonte 1:0.
Ndeshja mes Ümraniyesporit dhe Bolusporit është ndërprerë në pjesën e dytë, pasi reshjet e dendura të shiut e bënë fushën të papërshtatshme për lojë.
Lojtarët u përballën me një fushë të mbuluar nga uji. Pas vlerësimit të gjendjes së saj, gjyqtari vendosi ta ndalë përkohësisht takimin.
Sipas pamjeve të publikuara nga ndeshja, kapiteni i Ümraniyesporit, Glumac, ia tregoi gjyqtarit Berkay Erdemir gjendjen e terrenit. Arbitri e ndërpreu lojën në minutën e 58-të, pas konsultimeve me kapitenët e skuadrave.
Në momentin e ndërprerjes, Boluspori ishte në epërsi minimale, 1:0. Në këtë skuadër luan edhe portieri shqiptar Tafas.
Ndeshja mund të vazhdojë më vonë gjatë mbrëmjes ose të zhvillohet në një ditë tjetër. Deri atëherë, takimi mbetet i pezulluar për shkak të kushteve të krijuara nga shiu.