Salmonelë në domatet qershi nga Italia, mbi 130 persona të infektuar

Salmonelë në domatet qershi nga Italia, mbi 130 persona të infektuar

Mbi 130 raste të salmonelozës janë raportuar në Itali, ndërsa dyshimet lidhen me domatet qershi të kultivuara në Sicili. Inspektorët zbuluan dy serotipe të bakterit, kurse hetimet po shqyrtojnë edhe ujin e ujitjes si burim të mundshëm të kontaminimit. Domatet e kontestuara thuhet se janë shpërndarë edhe në tregun ballkanik.

Mbi 130 raste të salmonelozës janë raportuar në Itali dhe dyshimet lidhen me konsumimin e domateve të freskëta qershi me origjinë nga vendi. Sipas raportimeve, domatet e kontestuara janë shpërndarë edhe në tregun ballkanik.

Gjatë kontrolleve zyrtare, inspektorët italianë zbuluan dy serotipe të bakterit: Salmonella Typhimurium dhe Salmonella Strathcona. Autoritetet shëndetësore raportuan raste në katër rajone të Italisë.

Shumica e rasteve të regjistruara janë në zonën e Breshias, ku janë evidentuar 117 pacientë. Në Bergamo janë raportuar edhe 15 raste të tjera.

Domatet që dyshohet se janë të prekura janë kultivuar në Sicili. Bakteret janë zbuluar gjithashtu në ujin e përdorur për ujitjen e tokave bujqësore në këtë zonë.

Për këtë arsye, uji i ujitjes po shqyrtohet si burim i mundshëm i kontaminimit. Hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat e infeksioneve dhe lidhjen e tyre me grupet konkrete të domateve.